Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar sasi të pantallonave – farmerka, me marka që dyshohet se janë të falsifikuara.
“Gjatë kontrollit janë ndaluar për verifikim mallrat në vijim: Pantallona (farmerka) me marka të dyshuara si të falsifikuara: Dsquared2, Tommy Hilfiger, Diesel, Gucci dhe Moncler”- thuhet në njoftimin e Doganës të datës 23.04.2025.
Sipas njoftimit, më 22.04.2025, në terminalin doganor “Prishtina 3”, gjatë një ekzaminimi fizik të një dërgese, oficerët doganorë kanë hasur mallra për të cilat dyshohet se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale (DPI).
Po sipas njoftimit, veprimet e mëtejme do të ndërmerren në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe procedurat doganore në fuqi.
Dogana bën te ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e falsifikimit dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve të ligjshme.