Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 13 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrolleve në Pikën e Kalimit Kufitar në Bërnjak.
Sipas Doganës, gjatë hyrjes në Kosovë, një shtetas i huaj është intervistuar nga zyrtarët doganorë lidhur me posedimin e mjeteve monetare apo mallrave për deklarim. Ai ka deklaruar se nuk kishte as mjete monetare dhe as mallra për të deklaruar.
Pas dyshimeve të krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët kanë kontrolluar automjetin dhe personin, me ç’rast janë gjetur rreth 13 mijë euro, shumë e cila tejkalon pragun ligjor prej 10 mijë eurosh për deklarimin e mjeteve monetare.
Për rastin janë ndërmarrë procedurat administrative të parapara me legjislacionin në fuqi, ndërsa paratë janë ndaluar dhe konfiskuar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave për verifikimin dhe dokumentimin e prejardhjes së tyre.
Dogana e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet në pikat kufitare me qëllim të parandalimit të qarkullimit të mjeteve monetare të padeklaruara dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme.