LAJME

Dogana e Kosovës zbulon mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara në Jarinjë

Dogana e Kosovës zbulon mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara në Jarinjë
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Korrik 2026, 14:23

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë.

Sipas njoftimit të Doganës, për kontroll ishte ndaluar një autobus i linjës së rregullt ndërkombëtare, ndërsa gjatë inspektimit të bagazheve të pasagjerëve është identifikuar një valixhe që përmbante një sasi të konsiderueshme barnash dhe produktesh farmaceutike, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacionin përkatës.

Nga kontrolli janë evidentuar gjithsej 7 mijë e 168 produkte farmaceutike, prej të cilave 7 mijë e 100 ishin në formë kapsulash, ndërsa 68 të tjera në forma të ndryshme farmaceutike, përfshirë shurupe, sprej dhe xhel.

Meqenëse asnjëri nga pasagjerët nuk e ka pranuar pronësinë mbi bagazhin, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave, procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj kompanisë transportuese, si subjekt përgjegjës për transportin e mallrave dhe bagazheve në rastet kur nuk identifikohet pronari i tyre.

Mallrat e padeklaruara janë ndaluar, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale sipas kompetencave ligjore.

Dogana e Kosovës ka rikujtuar se mosdeklarimi i mallrave ose tentimi për shmangie të procedurave doganore përbën shkelje dhe i nënshtrohet masave administrative dhe kundërvajtëse të parapara me ligj.

Institucioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në parandalimin e hyrjes në vend të barnave dhe produkteve farmaceutike të padeklaruara ose me origjinë të padokumentuar, të cilat mund të paraqesin rrezik për shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika