Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve rutinore në Pikën Kufitare Bërnjak janë zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë totale prej 30,328 eurosh.
Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa të huaja, drejtuesit e të cilit kishin deklaruar se nuk posedonin asgjë për deklarim.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit dhe një çante personale janë gjetur 25,515 euro dhe 565,060 dinarë serbë, me vlerë të përafërt prej 4,813 eurosh. Shuma totale tejkalonte kufirin ligjor prej 10 mijë eurosh, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore.
Dogana bëri të ditur se është konfiskuar 25 për qind e shumës, ndërsa 75 për qind është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së mjeteve monetare. Rasti është proceduar për trajtim të mëtejmë nga sektori kompetent i hetimeve.