Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ka zbuluar 23 mijë e 500 euro mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdarë.
Sipas njoftimit të Doganës, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut. Pas intervistimit fillestar, automjeti u dërgua për kontroll të detajuar në vijën e dytë.
Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare, u gjetën 10 mijë euro në çantën personale të udhëtarit, ndërsa edhe 13 mijë e 500 euro të tjera u zbuluan të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit.
Sipas autoriteteve, personi posedonte një kontratë noteriale për shitblerjen e një prone, të datës 29 qershor 2025, si dhe një dëshmi të tërheqjes bankare të datës 1 korrik 2026, të cilat shërbenin si dokumentacion për prejardhjen e mjeteve monetare.
Pas konstatimit të mosdeklarimit, rasti iu referua Hetimeve Doganore për trajtim të mëtejmë. Meqenëse personi kishte dokumentuar burimin e ligjshëm të parave, autoritetet vendosën ndalimin e 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër iu kthye poseduesit në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës rikujtoi se çdo person që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë, apo kundërvlerën e tyre në valuta të tjera, ka detyrim ligjor t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.
Institucioni theksoi se do të vazhdojë forcimin e kontrolleve në të gjitha pikat kufitare, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe luftimin e pastrimit të parave dhe formave të tjera të kriminalitetit financiar.