Dogana e Kosovës ka njoftuar importuesit dhe subjektet prodhuese se duhet të sigurohen që të dhënat e tyre në regjistrin e biznesit janë të përditësuara dhe të sakta, me qëllim të shmangies së vonesave gjatë procedurave doganore.
Sipas njoftimit, përfitimi nga lirimet nga detyrimet doganore për linjat dhe makineritë e prodhimit, në kuadër të procedurës LMP dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës, kërkon që bizneset të kenë të regjistruar qartë veprimtarinë përkatëse prodhuese në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Dogana thekson se përditësimi i saktë i të dhënave të biznesit ndihmon në lehtësimin e shqyrtimit të kërkesave për lirim nga detyrimet, shmang vonesat gjatë zhdoganimit dhe përshpejton të gjithë procesin e trajtimit doganor.
Në këtë drejtim, bizneset inkurajohen që, para paraqitjes së deklaratës doganore, të verifikojnë dhe sipas nevojës të përditësojnë aktivitetin e tyre në ARBK, në përputhje me natyrën e pajisjeve apo makinerive që importohen për qëllime prodhimi.
Autoriteti doganor paralajmëron se në rastet kur veprimtaria prodhuese nuk është e regjistruar saktë, mallrat mund t’i nënshtrohen pritjeve deri në përfundimin e procedurave të nevojshme të regjistrimit, një situatë që, sipas tyre, nuk është në interes as të institucioneve dhe as të bizneseve.