LAJME

Dogana e Kosovës renditet e 7-ta nga 119 shtete, në luftën kundër mallrave të falsifikuara

Dogana e Kosovës renditet e 7-ta nga 119 shtete, në luftën kundër mallrave të falsifikuara
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Mars 2026, 11:58

Dogana e Kosovës po merr pjesë në sesionin e 46-të të Komitetit të Zbatimit të Organizatës Botërore të Doganave, i cili po zhvillohet në Bruksel, duke bashkuar përfaqësues të administratave doganore nga e gjithë bota.

Sesioni u hap zyrtarisht nga sekretari i Përgjithshëm, Ian Saunders, së bashku me kryesuesin e Këshillit, Bashir Adeëale Adeniyi. I themeluar në vitin 1983, sipas Doganës së Kosovës, Komiteti i Zbatimit mbetet një nga organet më të rëndësishme statutore të organizatës, ndërsa këtë vit punimet po zhvillohen në një format të ristrukturuar që thuhet se synon rritjen e efikasitetit dhe ndikimit të tij në politikat globale doganore.

Sipas Doganës, ky sesion shërben si platformë kyçe për diskutimin e prioriteteve strategjike dhe operacionale në fushën e zbatimit doganor.

“Në fokus janë përmirësimi i kornizës rregullative, zhvillimi i instrumenteve moderne të zbatimit, si dhe rritja e përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave në proceset operative. Njëkohësisht, po trajtohen zhvillimet më të fundit në operacionet ndërkombëtare dhe po përcaktohen orientimet e ardhshme për vendet anëtare, me qëllim forcimin e një qasjeje të koordinuar dhe efektive në luftën kundër krimit ndërkufitar, kontrabandës dhe mashtrimeve tregtare” – thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës thekson se kontributi i saj në këtë kuadër reflektohet edhe në rezultate konkrete.

Siç bëhet e ditur, në operacionin ndërkombëtar “STOP IV” të Organizatës Botërore të Doganave, Kosova është renditur e 7-ta nga 119 shtete pjesëmarrëse, në luftën kundër mallrave të falsifikuara.

“Ky pozicionim nënvizon përkushtimin institucional dhe kapacitetet profesionale në zbatimin efektiv të ligjit dhe mbrojtjen e tregut. Pjesëmarrja aktive në këto mekanizma ndërkombëtarë konfirmon rolin e Doganës së Kosovës si një partnere e besueshme dhe kontribuese në kuadër të Organizatës Botërore të Doganave, e angazhuar në avancimin e standardeve doganore dhe në forcimin e bashkëpunimit global kundër aktiviteteve të paligjshme” – thekson në fund Dogana e Kosovës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika