LAJME

Dogana e Kosovës nderohet me medalje nga Organizata Botërore e Doganave

Dogana e Kosovës nderohet me medalje nga Organizata Botërore e Doganave
TV Prizreni
TV Prizreni
30 Janar 2026, 13:36

Dogana e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Atasheu i Doganës së Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave (WCO), Bekim Mehmetaj, është nderuar me një medalje prestigjioze ndërkombëtare, duke u vlerësuar si një nga atashetë doganorë më të dalluar të OBD-së.

Ceremonia solemne e ndarjes së këtij çmimi u mbajt në Bruksel, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Doganave, në prani të përfaqësuesve të lartë institucionalë, përfshirë sekretarin e Përgjithshëm të OBD-së, Ian Saunders, dhe autoritete të tjera evropiane dhe belge.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë ceremonisë u theksua se Mehmetaj mishëron profesionalizëm të lartë, qasje proaktive dhe përkushtim të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar doganor, duke u vlerësuar si një model frymëzues për komunitetin doganor global.

“Z. Bekim Mehmetaj ka mbi 20 vjet përvojë në Doganën e Kosovës dhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin institucional, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në struktura dhe forume të rëndësishme doganore. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e ekselencës profesionale dhe përfaqësimin e vendit me standardet më të larta të integritetit dhe profesionalizmit në nivel ndërkombëtar. Republika e Kosovës është anëtare e WCO-së që nga viti 2017, organizatë e cila përfshin 187 administrata doganore dhe mbulon rreth 98% të tregtisë globale” – shkruan Dogana.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika