Dogana e Kosovës ka mbikëqyrur procesin e asgjësimit të mbi 6 mijë maicave, pasi u konstatua se ato cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti kishte nisur më 2 qershor 2026 në Terminalin Doganor në Mitrovicë, kur një importues kishte paraqitur për zhdoganim një dërgesë pa specifikuar markën tregtare të produkteve.
Pas analizës së riskut, dërgesa u përzgjodh për kontroll të detajuar fizik dhe dokumentar. Gjatë ekzaminimit, zyrtarët doganorë identifikuan elemente që ngritën dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Më pas, Sektori për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës kontaktoi bartësin e të drejtave, i cili konfirmoi se produktet e paraqitura për zhdoganim ishin mallra që cenonin të drejtat e mbrojtura të pronësisë intelektuale.
Në bazë të Ligjit për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, Dogana ndaloi lirimin e mallit në qarkullim, inicioi procedurë kundërvajtëse ndaj importuesit dhe procedurën për asgjësimin e produkteve.
Më 8 korrik, mbi 6 mijë maicat u asgjësuan nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, duke garantuar që ato të mos përfundonin në tregun e Kosovës.
Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në luftimin e tregtisë së mallrave të falsifikuara, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, konsumatorëve dhe bizneseve legjitime, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit përmes kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe bashkëpunimit me bartësit e këtyre të drejtave.