Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë se në këtë shekull “serbët duhet ta kenë një shtet të vetëm”, pjesë të së cilit, sipas tij, duhet të jenë edhe Kosova dhe Mali i Zi.“Ne po jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri botëror. Serbët nuk duhet të zihen në befasi, por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm, të përbërë nga Serbia, Republika Sërpska dhe nëse është vendim demokratik edhe nga Mali i Zi”, ka thënë ai për “Sputnik”, sipas uebfaqes së tij zyrtare, transmeton Vijesti.
Ai ka deklaruar se duhet të ketë një “kuvend të madh mbarëserb”, nga i cili do të dilte ky mesazh. Për çështjen e Kosovës, ka thënë se politika “kombëtare e shtetërore serbe, duhet të mbetet e përkushtuar për të”.





