LAJME

DKRS reagon ndaj kritikave të DokuFestit, rreth 500 mijë euro mbështetje për katër vjet

DKRS reagon ndaj kritikave të DokuFestit, rreth 500 mijë euro mbështetje për katër vjet
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Qershor 2025, 20:52

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit i është përgjigjur pretendimeve të DokuFestit, duke theksuar se mbështetja për këtë festival gjatë katër viteve të fundit ka qenë rreth gjysmë milioni euro.

Në komunikatën e DKRS-së thuhet se organet komunale janë krenare për mbështetjen financiare dhe logjistike të ofruar për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.

“DokuFest-i është krenaria e Kosovës, jo vetëm e Prizrenit. Një festival që i ka sjellë dhe vazhdon ti jap shumë qytetit tonë të kulturës, artit, trashëgimisë, historisë dhe jo vetëm. Komuna e Prizrenit është krenare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit gjatë katër viteve të këtij mandati duke e mbështetur jo vetëm financiarisht, por edhe në të gjitha kapacitetet e tij. Rreth 500 mijë euro është vlera e mbështetjes për DokuFest-in gjatë katër viteve (2022-2025), dhe mbështetje e pakursyer logjistike, organizative dhe hapësira në shfrytëzim”, thuhet në komunikatë.

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se DokuFestin e sheh si pjesë të pandashme të identitetit të qytetit të bukur të Prizrenit dhe se mbështetja do të vazhdojë edhe më tej.

“Si vazhdimësi e këtij partneriteti afatgjatë, në edicionin e kaluar, kryetari Shaqir Totaj organizoi një pritje për të gjithë artistët dhe mysafirët e festivalit duke përcjellë mesazhin që i kishte munguar qytetit. E njëjta praktikë do të vazhdojë edhe këtë edicion”, thuhet në komunikatë.

DKRS ka theksuar se në Prizren, po ashtu zhvillohen edhe shumë festivale tjera të njohura dhe aktivitete që e gjallërojnë qytetin gjatë 12 muajve.

“Komuna i mbështetë të gjitha dhe ka qenë e hapur, bashkëpunuese dhe shumë dashamirëse me DokuFestin, për çka e pret të njëjtën edhe nga drejtuesit e Festivalit”, përfundon komunikata.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika