Florent Maqkaj, djali i dëshmorit Selver Maqkaj dhe punonjës prej vitesh si roje sigurie në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, ka ngritur akuza për padrejtësi dhe diskriminim në procesin e përzgjedhjes për një pozitë më të lartë brenda kompanisë.
Në një reagim publik të bërë përmes rrjeteve sociale, Maqkaj ka bërë të ditur se aplikimi i tij për pozitën “inspektor-kontrollor” është refuzuar nga kompania me arsyetimin se mungon dokumentacioni përkatës – konkretisht diploma e shkollës së mesme. Por sipas tij, dokumentacioni i dërguar ka përfshirë diplomën e fakultetit, që në mënyrë logjike nënkupton edhe përfundimin e shkollës së mesme.
“Llogarite tash: një me shkollë të mesme vazhdon tutje, unë me fakultet refuzohem, rri rojtar. Pse me kry fakultetin masnej rinia, kur nuk ju duhet gjo?”, ka shkruar ai, duke shprehur zhgënjimin për situatën.





