Mediat serbe sot kanë nxjerrë si kryelajm vendosjen e një flamuri me stemë të UÇK’së, të vendosur në një rrethojë në fshatin Hoçë e Madhe e Rahovecit, i banuar i tëri me pjesëtarë të komunitetit serb. Këtë e kanë raportuar si provokim të rëndë. Pyetja lind se kujt i konvenon ky provokim në ditën që në Kosovë po qëndrojnë i dërguari special i SHBA’së për rajonin, Gabriel Escobar, bashkë me ndërmjetësin e BE’së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Një praktikë e tillë tashmë nuk është e re për Kosovën. Pothuajse çdo herë në këto 20 vite të pasluftës, sa herë që në Kosovë ka pasur ndonjë vizitë nga përfaqësues të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, e në veçanti kur ata vinin në Kosovë për tema që lidhen me raportet e Kosovës me Serbinë, ndodhte ndonjë incident që lidhej me komunitetin serbë që jeton në Kosovë. Ndërsa kjo, nuk është e vështirë të deshifrohet, se kujt i shërben, dhe rrjedhimisht edhe kush mund ta bëjë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.





