Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të dielën janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur pranë Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin e tij qeveritar, përfaqësues të shoqatave dhe familjarë, ka përkujtuar personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke vendosur lule pranë Monumentit të Personave të Zhdukur.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tha se çështja e të zhdukurve nuk është plagë individuale, por prek gjithë shoqërinë kosovare.
Ai theksoi se normaliteti nuk mund të arrihet pa zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Sipas tij, zhdukjet, vrasjet dhe fshehja e trupave në varreza masive, janë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid i pastër, për të cilat ende kërkohet drejtësi në instanca ndërkombëtare.
Hoti nënvizoi vendosmërinë që nuk do të ndalen, derisa të dihet fati i personit të fundit të zhdukur.
“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme nëpër varreza masive në Serbi, nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpeshherë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne, Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk do të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, ka thënë Hoti.
Homazhe bëri edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Gërmimet e fundit janë bërë në Bishtazhin të Gjakovës, ku janë gjetur mbetjet mortore të mbi 10 kosovarëve, të vrarë gjatës luftës. /KSP/