LAJME

Dita e parë e festës së Fitër Bajramit, Bashkësia Islame publikon orarin dhe ceremoninë qendrore në Prishtinë

Dita e parë e festës së Fitër Bajramit, Bashkësia Islame publikon orarin dhe ceremoninë qendrore në Prishtinë
TV Prizreni
TV Prizreni
18 Mars 2026, 12:13

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar besimtarët dhe opinionin e gjerë se muaji i Ramazanit përfundon ditën e enjte, më 19 mars 2026.

Në një njoftim në rrjetin social në Facebook, BIK thekson se dita e parë e festës së Fitër Bajramit është të premten, më 20 mars 2026.

Sipas njoftimit, manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit në Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Siç bëhet e ditur, programi fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim Beqiri.

“Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste. Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00” – thuhet tutje në njoftim.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës u ka uruar në fund festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke shprehur se lut Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet e të gjithëve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika