Në kuadër të aktivitetit “Dita e Hapur”, Gjykata Themelore në Prizren ka mirëpritur sot studentët e Fakultetit Juridik nga Universiteti “Ukshin Hoti”, në një vizitë informuese dhe bashkëbisedim për rolin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor.
Kryetarja e Gjykatës, znj. Shpresa Emra, dhe gjyqtari z. Sami Gashi, i njoftuan studentët me organizimin e brendshëm të institucionit, shërbimet që ofron gjykata, si dhe qëllimin dhe misionin e saj në shoqëri. Gjatë takimit, ata theksuan rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit me komunitetin akademik, veçanërisht me të rinjtë që janë në rrugëtimin drejt profesionit juridik.
Studentët, të udhëhequr nga Prodekani Prof. Asoc. Dr. Halim Bajraktari dhe asistenti Milot Krasniqi, patën rastin të vizitojnë nga afër ambientet e Gjykatës dhe të njihen me proceset dhe punën e përditshme që zhvillohet në këtë institucion të rëndësishëm të drejtësisë.





