Një ditë pasi diplomatë të Bashkimit Evropian shprehën optimizmin se Franca do të heqë dorë nga kundërshtimi i vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët, ka dalë një sinjal tjetër për këtë çështje nga takimi që kreu i Policisë së Kosovës ka pasur me drejtorin e Policisë Kufitare në Francë.
Siç është bërë e ditur në një komunikatë të Policisë të premten, drejtori i përgjithshëm i PK-së, Samedin Mehmeti, ka diskutuar me drejtorin e Policisë Kufitare në Francë, Fernand Gontier, për “vlerësimin dhe ndihmën në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave”.
“Ndër temat kryesore të cilat u diskutuan në këtë takim ishin forcimi i bashkëpunimit kufitar, migrimi ilegal, trajnimet dhe teknikat e avancuara të kontrollit kufitar si dhe luftimi i kontrabandës. Po ashtu pjesë e diskutimit në këtë takimi ka qenë edhe vlerësimi dhe ndihma në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave. Takimi rezultoi me vullnetin dhe shprehjen e gatishmërisë për bashkëpunim të ndërsjellë në fusha të ndryshme e në veçanti me Policinë Kufitare”, thuhet në njoftim.
Të enjten, burime diplomatike nga Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur për KOHËN se liberalizimi i vizave për Kosovën është një çështje që do të diskutohet në nivelin më të lartë gjatë takimit të ardhshëm të liderëve të bllokut.
Burimet kanë bërë të ditur se kjo jep shenja për optimizëm se mund të ndodhë liberalizimi i shpejtë i regjimit të vizave për kosovarët. “Optimizëm i kujdesshëm” është fjalia më e shpeshtë që dëgjohet në Bruksel nga disa diplomatë të BE-së, kur pyeten lidhur me gjasat për heqjen e regjimit të vizave për kosovarët, të cilët janë të vetmit në Evropë që ende nuk e gëzojnë mundësinë e udhëtimit të lirë në zonën Schengen.
Për më shumë se tre vjet, thirrjet e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave nuk kanë pasur ndonjë efekt tek vendet anëtare të bllokut. As konfirmimi i vazhdueshëm nga ana e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, si dhe rekomandimi për liberalizimin e vizave nuk e kanë lëkundur Këshillin e BE-së, ku edhe ka ngecur çështja. Franca nuk e ka trajtuar si krejtësisht të saktë vlerësimin e KE-së se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet” dhe ka vazhduar që të ketë disa shqetësime të veta. Disa prej tyre kanë qenë të ndërlidhura me dëshirën që në Kosovë të ketë më shumë shembuj të dënimeve për krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel të lartë, porse disa argumente të tjera të Francës kanë pasur ndërlidhje edhe me ardhjen e numrit të madh të shtetasve të Shqipërisë dhe Gjeorgjisë në këtë shtet evropian për të kërkuar azil, ndonëse nuk i përmbushnin kushtet.
Franca, sipas disa diplomatëve evropianë, ka synuar që të sigurohet se një ditë, kur të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, të mos ketë ardhje masive të tyre në Francë me kërkesa për azil. Por disa diplomatë e kanë lidhur kundërshtimin e Francës edhe me situatën e brendshme, pasi që mbërritja aty e të huajve është një çështje shumë e ndjeshme dhe është keqpërdorur e djathta ekstreme.
“Ka shenja pozitive edhe nga Franca”, kanë thënë tani diplomatët. E kur Franca të heqë kundërshtimin, nuk pritet që ndonjë shtet tjetër ta pengojë vendimin për liberalizimin e vizave, i cili në fund merret me shumicë të kualifikuar dhe jo me konsensus.