Disa vende europiane njoftuan sot se do të rinisnin vaksinimet me vaksinën antiCOVID-19 AstraZeneca, pasi Agjencia Europiane e Barnave (EMA) e konsideroi atë “të sigurt dhe efektive”.
Franca, Italia, Letonia dhe Bullgaria njoftuan se ka të ngjarë t’i rinisin vaksinimet me AstraZeneca nesër, pas këshillës së EMA-s.
Spanja thuhet se do të ndjekë shembullin e tyre, duke rifilluar javën tjetër, të mërkurën, sipas gazetës “El Pais”.
Në një përpjekje për të forcuar besimin e dëmtuar të publikut ndaj vaksinës, kryeministri francez Jean Castex njoftoi se ai vetë do të vaksinohet me AstraZeneca nesër.
Sipas ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, Gjermania synon të rifillojë vaksinimin duke përdorur vaksinën AstraZeneca, gjithashtu, nesër.
Raportet në lidhje me mpiksjen e gjakut në disa vende i shtynë qeveritë në të gjithë botën të ndalojnë vaksinimet me AstraZeneca, që ngadalësoi fushatat tashmë të ngadalta të vaksinimit në Bashkimin Europian.
Agjencia Europiane e Barnave (EMA) e konsideron përdorimin e vaksinës antiCOVID-19 “AstraZeneca” të sigurt, pavarësisht raporteve në lidhje me mpiksjet e gjakut.
”Mbërritëm në një konkluzion të qartë shkencor. AstraZeneca është një vaksinë e sigurtë dhe efektive”, tha EMA.
“Përfitimet janë shumë herë më të mëdha se sa risqet. Vaksina nuk shoqërohet me një rritje të rrezikut të përgjithshëm të ngjarjeve tromboembolike ose mpiksjes së gjakut”, theksoi ajo.
“Provat në botën reale, sugjerojnë që vaksina ka një efektshmëri edhe më të lartë se sa ajo e treguar gjatë testeve”, përfundon EMA