LAJME

Dirk Schubel emërohet përfaqësues i ri i BE-së për Kosovën, e zëvendëson Oravin

Dirk Schubel emërohet përfaqësues i ri i BE-së për Kosovën, e zëvendëson Oravin
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Korrik 2026, 10:49

Bashkimi Evropian ka emëruar të hënën një Përfaqësues të ri Special për Kosovën.

Këshilli i BE-së ka emëruar Dirk Schubel si Përfaqësuesin e ri të Bashkimit Evropian (EUSR) për Kosovën. Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar në këtë pozitë Aivo Oravin.

Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së për Kosovën është i përqendruar në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe angazhimit të synuar me qytetarët.

Detyrat kryesore përfshijnë monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, kontributin në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve pakicë, si dhe promovimin e koordinimit politik të Bashkimit Evropian për të siguruar një prani të bashkërenduar dhe të dukshme të BE-së në Kosovë.

Kush është përfaqësuesi i ri i BE-së që do ta zëvendësojë Oravin?

Dirk Schubel është diplomat gjerman me përvojë të gjatë në pozita udhëheqëse në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian, si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht, ai shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS.

Më herët, ai ka qenë i Dërguar Special i BE-së për Partneritetin Lindor nga viti 2022 deri në vitin 2024. Gjithashtu, ka drejtuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Bjellorusi nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe Delegacionin e BE-së në Moldavi nga viti 2009 deri në vitin 2013, ku ka luajtur rol kyç në avancimin e angazhimit të BE-së në fqinjësinë lindore.

Këshilli emëroi Dirk Schubel si Përfaqësuesin e ri Special të Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026.

Mandati i tij përfshin gjithashtu ofrimin e udhëzimeve politike në nivel lokal për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovo), si dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me synim nxitjen e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Përfaqësuesit Specialë të Bashkimit Evropian promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone, vende ose çështje me rëndësi të veçantë për Unionin. Ata luajnë rol aktiv në mbështetjen e reformave, forcimin e stabilitetit dhe sundimit të ligjit.

Aktualisht, 11 Përfaqësues Specialë të BE-së mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika