Mbi 33,200 qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, nga 43,933 sa ishin regjistruar për të votuar jashtë vendit.
Votat e diasporës mund të ndikojnë në fatet e disa kandidatëve dhe partive politike, por numërimi i tyre pritet të bëhet më vonë.
Për shembull, në Gjilan, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, është vetëm 0.21% larg shumicës së nevojshme për t’u rizgjedhur kryetar.
Ndërsa në Han të Elezit, fitues i përkohshëm është shpallur Mehmet Ballazhi i PDK-së, me një diferencë prej vetëm 93 votash ndaj kandidatit të pavarur, Rufki Suma.
Për këto dy komuna, votat nga jashtë mund të ndryshojnë rezultatin përfundimtar.
Diaspora mund të ndikojë edhe në renditjen e partive politike. Në Mitrovicë të Jugut, diferenca mes Arian Tahirit (PDK) dhe Faton Pecit (VV) është vetëm 28 vota, ndërsa numri i votuesve të regjistruar jashtë vendit është 1,186.
Në Junik, me 1,344 vota të mundshme nga diaspora, diferenca mes Ruzhdi Shehut (LDK) dhe Agron Kuçit (AAK)mund të thellohet ose të ndryshojë renditjen për balotazh. Situatë e ngjashme pritet edhe në Prishtinë, ku janë regjistruar 1,715 votues jashtë Kosovës.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, votat nga jashtë vendit, së bashku me ato të votimit me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, do të numërohen pas përfundimit të numërimit të votave të kandidatëve për kuvende komunale në Qendrat Komunale të Numërimit.
Elezi theksoi se nga 22 kuti postare të përpunuara nga 23 gjithsej, janë përpunuar 33,258 zarfe me fletëvotimenga jashtë Kosovës.
Përzgjedhësit jashtë vendit për zgjedhjet e 12 tetorit ishin 43,933 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme në nivel vendi arriti në 40.10%.
Votat e diasporës pritet të jenë vendimtare për disa komuna ku gara është e ngushtë dhe mund të përcaktojnë fituesit e balotazhit.