- Reklama -

Dialogu Kosovë-Serbi në epokën e dezinformimit është kthyer edhe në fushëbetejë propagande

Prej më shumë se një dekade, dialogu Kosovë–Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është njëri nga proceset më të rëndësishme diplomatike në Ballkan. Ai synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe zgjidhjen e çështjeve praktike që prekin jetën e qytetarëve. Por, derisa raundet e bisedimeve vijojnë të mbahen në Bruksel mes ngërçeve dhe tensioneve, një realitet tjetër është formësuar në terren, ku dialogu po kthehet në një fushëbetejë të propagandës politike në rajon.

Në të dyja anët e kufirit, politika, media dhe aktorë të jashtëm ndërtojnë narrativa konkurruese për të formësuar opinionin publik. Si rrjedhojë, qytetarët shpesh informohen jo mbi përmbajtjen e vërtetë të procesit, por mbi versionet politike të tij, të cilat ndryshojnë në varësi të interesit të brendshëm të palëve.

- Reklama -

Kësisoj në vend që të shihet si mekanizëm që zgjidh çështje praktike, nga energjia te lëvizja e lirë, dialogu në publik shihet si burim i tensioneve, ndarjeve dhe pasigurive, të cilat në të shumtën e rasteve janë të prodhuara artificialisht.

Gjetjet nga monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale, intervistat dhe raportet e pavarura tregojnë se për dialogun janë krijuar narrativat e keqinformimit dhe dezinformimit, të cilat synojnë të formësojnë opinionin publik, të rrisin polarizimin dhe të ripozicionojnë palët në arenën ndërkombëtare. Palët, por edhe aktorët e jashtëm, veçanërisht Rusia, përdorin mjete të ndryshme komunikimi për të ndërtuar versione paralele të realitetit.

Për nevojat e këtij artikulli janë analizuar 43 artikuj të botuara në mediat me seli në Serbi, në Kosovë, por edhe ato ruse, përgjatë dekadës së fundit. Gjithashtu janë shqyrtuar edhe 13 raportime mediatike dhe publikime të OSHC-ve lidhur me temën nga viti 2023 deri në fund të vitit 2025.

Njëra prej narrativave kryesore të krijuara në mediat serbe është se “Prishtina po e saboton dialogun”. Kjo narrativë e portretizon Kosovën si palë joserioze, agresore dhe të papërgjegjshme. Mediat e afërta me qeverinë e Serbisë (si: RTS, RTV, Blic dhe tabloidet si Kurir, Informer, etj) amplifikojnë deklaratat e Zyrës për Kosovën, duke i paraqitur ato si fakte të pakontestueshme. Në këto artikuj përmenden “veprimet eskalatore të Prishtinës”, “sulmet ndaj serbëve”, “kërcënimet për sigurinë e komunitetit serb” dhe “moszbatimi i marrëveshjeve”. Këta artikuj rrallë japin kontekst të plotë dhe kanë rol thelbësor në formësimin e klimës së frikës në komunitetin serb në Kosovë.

Një narrativë tjetër është se “Perëndimi po i bën presion Serbisë ta njohë Kosovën”. Kjo narrativë është e pranishme në Serbi, kryesisht e shprehur përmes deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por që zmadhohen edhe nga mediat ruse, si Sputnik Srbija.

Kjo narrativë, të cilën zakonisht presidenti serb Vuçiq e ndërlidh me interesat e Serbisë dhe me raportet me Rusinë, shpërndahet nga Sputnik edhe në pjesët tjera të botës.

Ndërsa incidentet e izoluara shpesh nga politika dhe mediat serbe paraqiten si pjesë e një strategjie të përgatitur të qeverisë së Kosovës për të dëmtuar serbët. Titujt alarmantë të tabloidëve dhe mediave të afërta me pushtetin në Beograd duke i dhënë hapësirë deklaratave të eksponentëve  të Listës Serbe synojnë të krijojnë idenë e një rreziku të përhershëm, si pjesë e narrativës se “Serbët janë të kërcënuar sistematikisht në Kosovë”.

Ngjashëm raportimet e kësaj natyre, bazuar në deklaratat e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë shpërndahen edhe nga mediat ruse si Russia Today, me pretendimet se “Paqeruajtësit e NATO-s i dhanë Kosovës “leje” për të vrarë serbët”, apo edhe se “Kryeministri i Kosovës po përgatit sulme të reja ndaj serbëve”.

Në realitet, shumica e raporteve ndërkombëtare nuk e mbështesin këtë narrativë. Platforma EUvsDisinfo ka gjetur se si Sputnik mundohet që të shtyjë përpara narrativën se edhe Perëndimi është bashkëfajtor në spastrimin etnik të serbëve në Kosovë, me ç’rast theksohet se “me mosveprimin e ambasadorëve të Quint-it (SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë) në Prishtinë, për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti të mundshëm, ata bëhen bashkëfajtorë në spastrimin etnik të serbëve në Kosovë). Por sipas EUvsDisinfo ky pretendim është përpjekje për të nxitur ndjenja anti-perëndimore dhe tensione, duke akuzuar pa bazë vendet perëndimore për një “spastrim etnik” inekzistent ndaj serbëve në Kosovë. “Kjo është pjesë e një fushate dezinformuese pro-Kremlin, e cila synon ta fajësojë Perëndimin për përshkallëzimin e tensioneve në Kosovë në dhjetor të vitit 2022, ndërkohë që në fakt është Rusia ajo që po e nxit situatën. Për më tepër, kjo shërben edhe për të larguar vëmendjen nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia”.

Edhe raporti “Vorbulla e rrenave” publikuar nga BIRN Kosova në fund të vitit 2023 ka gjetur se qeveria ruse ka përsëritur narrativën se autoritetet e Kosovës kanë planifikuar përzënien e serbëve nga Kosova.

Ndërkohë raportimet në mediat serbe, si N1, Nova S dhe Danas janë më të balancuara, megjithëse në raste të caktuara mungon thellimi analitik, edhe për shkak të pengesave gjuhësore.

Për dallim prej mediave në Serbi, portalet e ndryshme në Kosovë bazuar në deklaratat politike kanë ndërtuar narrativën se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS) është i barabartë me “autonomi territoriale” ose ndarje të Kosovës, përkundër faktit se statuti i tij duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Një tjetër narrativë dominuese përgjatë viteve të fundit në mediat e Kosovës ka qenë se ndërmjetësuesit e BE-së nuk kanë qenë të paanshëm përgjatë procesit të lehtësimit të dialogut, ani pse procesi nuk është dizajnuar për ta privilegjuar cilëndo palë në dialog.

Por te mediat kosovare (Koha, Kallxo, RTK, Klan Kosova, Gazeta Express, etj) në përgjithësi ka raportim bazuar në dokumentet ndërkombëtare, pastaj obligimet për zbatimin e marrëveshjeve, deklaratat e zyrtarëve dhe nganjëherë janë kritike sa i përket jetësimit të obligimeve që dalin nga dialogu dhe rezistencës nga pala serbe në këtë aspekt.

Narrativa e përbashkët e mediave të reja online në të dyja anët e kufirit është portretizimi se “çdo kompromis është humbje”.

Në anën tjetër mediat ruse (Sputnik/RT dhe platformat e tyre ndihmëse) shtyjnë në mënyrë      sistematike narrativën se BE-ja respektivisht Perëndimi janë detyruese ose hipokrite, se veprimet e Kosovës mbështeten për arsye gjeopolitike përkatësisht se “BE-ja duhet të turpërohet për Kosovën”, dhe se Serbia po vihet nën presion, të cilat më shumë shërbejnë për të pasqyruar por edhe forcuar narrativat e brendshme serbe, sikurse edhe qëndrimet ruse në arenën ndërkombëtare. Narrativat e tilla dezinformuese pro-Kremlin janë konstatuar edhe nga platforma EUvsDisinfo, ku BE-ja përkatësisht Perëndimi akuzohen se “po përpiqen ta detyrojë Serbinë të pranojë sanksione anti-ruse, duke nxitur konfliktin në Kosovë”, apo edhe të tilla se “Marrëveshja Serbi-Kosovë është në fakt një zhvatje”, ku me shtrembërim të qëllimshëm të fakteve, si pjesë e një fushate më të gjerë dezinformuese pro-Kremlin rreth Kosovës, synohet minimi i përpjekjeve të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, duke ofruar portretizim nën një dritë negative.

Palët në dialog sipas BE-së duhet të shmangin retorikën që nuk kontribuon në pajtim

Dialogu është në qendër të angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe plotësisht i konceptuar, dizajnuar dhe udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Ai u nis pas miratimit të Rezolutës 64/298 (2010) të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

raportin e fundit të BE-së për Kosovën, thuhet se nga të dyja palët pritet që ti zbatojnë të gjitha obligimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të Dialogut, në përputhje me riangazhimet zyrtare të bëra në shtator dhe tetor 2024. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Nga Kosova pritet të nisë procesin që çon në themelimin e tij, derisa nga Serbia pritet që të fillojë përmbushjen e obligimeve të saj në mënyrë paralele duke nisur njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës. Marrëveshja, sipas BE-së, është e vlefshme dhe juridikisht obligative për palët dhe çdo formalitet, përfshirë ato që lidhen me miratimin apo “formalizimin” e saj, nuk duhet të pengojnë përparimin në zbatim, dhe se vlerësimi i konstruktivitetit të palëve do të bëhet vetëm mbi bazën e performancës së tyre të zbatimit.

“Normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i detyrimeve nga Dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë humbjen e mundësive të rëndësishme në mungesë të progresit”.

Në raport gjithashtu theksohet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por se duhet të tregojnë angazhim shumë më serioz dhe konstruktiv për të avancuar procesin e normalizimit. Të dyja palët, sipas BE-së, duhet të shmangin veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk kontribuon në dialog dhe pajtim.

Hulumtuesi dhe verifikuesi i fakteve, Festim Rizanaj ka vlerësuar se “palët në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja e përdorin informacionin dhe narrativat si instrument politik për të formësuar opinionin publik dhe për të forcuar pozicionin e tyre negociues”. Sipas tij në të dyja vendet, përzgjedhja selektive e fakteve, krijimi i frikës dhe përdorimi i gjuhës polarizuese e kthejnë dialogun nga proces teknik në betejë propagandistike, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje dhe duke minuar besimin publik te vetë procesi i ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Narrativat dezinformuese rreth dialogut Kosovë–Serbi zakonisht portretizojnë palën tjetër si kërcënim dhe vetveten si viktimë, duke ushqyer mosbesim dhe tension”, ka thënë Rizanaj.

Sipas tij edhe aktorët e jashtëm luajnë rol të rëndësishëm në amplifikimin e narrativave dezinformuese rreth dialogut Kosovë–Serbi, duke i bërë ato më të dukshme, më emocionale dhe më polarizuese.

“Rusia përdor mediat e saj dhe rrjetet propagandistike për të forcuar narrativën serbe të viktimizimit dhe për të paraqitur dialogun si një proces të imponuar nga Perëndimi, me qëllim dobësimin e rolit të BE-së dhe rritjen e tensioneve në Ballkan. Media rajonale pro-serbe dhe portale lobuese i riprodhojnë këto narrativa pa verifikim, duke i shpërndarë më shpejt në Serbi dhe në komunitetin serb në Kosovë”, është shprehur ai.

Rizanaj nënvizon se të dyja palët e dialogut përdorin komunikim të koordinuar politik dhe mediatik për të krijuar presion ndaj palës tjetër, sidomos para takimeve kyçe në Bruksel. “Në Serbi, qeveria, mediat pranë pushtetit dhe zyrtarët e Zyrës për Kosovën shpesh dalin me mesazhe të unifikuara që portretizojnë Prishtinën si agresore dhe serbët në Kosovë si të rrezikuar. Kjo narrativë publike rrit ndjenjën e emergjencës dhe i jep Beogradit justifikim për qëndrim më të ashpër në tavolinën e dialogut. Në Kosovë, shpesh vërehet koordinim ndërmjet deklaratave të institucioneve, akuzave politike dhe mediave që theksojnë se Serbia po destabilizon veriun me qëllim sabotimin e marrëveshjeve. Para takimeve në Bruksel, komunikimi publik shndërrohet në një narrativë që thekson vijat e kuqe dhe legjitimon qëndrime më të forta, si për të mos u parë “si palë që lëshon pe””, ka deklaruar Rizanaj.

“Komunikimet diplomatike të mjegulluara, krijuan terren për teori të pabazuara”

Hulumtuesja në fushën e mediave dhe redaktorja menaxhuese në K2.0, Gentiana Paçarizi  ka pohuar se nga vështrimi disa vjeçar ka vërejtur se në diskursin e brendshëm kosovar kanë qarkulluar disa narrativa pa bazë faktike rreth procesit të dialogut.

“Në periudhat kur dialogu ishte më aktiv, takimet dhe marrëveshjet shpesh interpretoheshin nga akterë politikë si “rrezik për sovranitetin”, “tradhti kombëtare”, “hapa drejt copëtimit”, etj. Mungesa e transparencës si nga institucionet e Kosovës, si nga BE-ja, me komunikimet diplomatike të mjegulluara, krijuan terren për teori të pabazuara, si ide për marrëveshje të “firmosura fshehurazi””, ka thënë ajo.

Një tjetër narrativë e qëndrueshme sipas saj lidhet me paraqitjen e BE-së si ndërmjetës jo i besueshëm dhe i njëanshëm. “Për shkak të mungesës së transparencës nga BE dhe shpjegimeve të qarta, interpretimet politike shpesh marrin epërsi ndaj fakteve”, ka shtuar Paçarizi.

Sipas saj përgjatë procesit është parë se secila palë e ndërton versionin e vet të rrëfimit rreth ngjarjeve.

“Çdo raund i dialogut trajtohet si zero sum game: njëra palë “fiton”, tjetra “humb”. Kjo qasje ushqehet nga mungesa e transparencës, pasi takimet zhvillohen me dyer të mbyllura dhe secila palë e ndërton versionin e vet të ngjarjeve. Fatkeqësisht, BE-ja nuk ndërhyn për ta sqaruar se cili version është i saktë”, ka deklaruar ajo.

Ndonëse narrativat kanë ndryshuar ndër vite, sipas Paçarizit, ato, së bashku me mungesën e rezultateve konkrete nga procesi, kanë ndikuar që në mungesë të informacionit të duhur, qytetarët të zhvillojnë një lloj averzioni ndaj dialogut në tërësi si proces i shkëputur nga realiteti i tyre.

Në të njëjtën kohë ka theksuar se raportimi i balancuar për dialogun përballet me disa sfida strukturore.

“Së pari, mungesa e transparencës nga BE-ja ka qenë një kritikë e vazhdueshme. Procesi shihet si jo transparent dhe kjo e vështirëson ndjeshëm punën e gazetarëve, të cilët shpesh nuk kanë qasje në informacionet bazë për t’i verifikuar zhvillimet”.

“Së dyti, edhe institucionet e Kosovës nuk kanë qenë transparente. Shumica e takimeve zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa interpretimet që ofrohen pas çdo raundi janë kryesisht politike, jo faktike. Kjo e bën të pamundur verifikimin e plotë të informacionit, pengon raportimin e thelluar dhe sfidimin e narrativave pa bazë që burojnë nga aktorët politikë”.

“Së treti, mungesa e gazetarëve të specializuar në proceset e udhëhequra nga BE-ja mbetet pengesë serioze. Në Kosovë, vetëm pak gazetarë e ndjekin dialogun në mënyrë të vazhdueshme dhe analitike. Për pasojë, shumica e raportimit mbështetet në deklarata të palëve dhe jo në burime të pavarura ose në kuptim të thelluar të procesit, gjë që e kufizon fuqinë e mediave për të prodhuar raportim vërtet të balancuar”.

Sipas saj amplifikimi i deklaratave politike është një dukuri e zakonshme dhe ndodh shumë më shpesh sesa verifikimi i tyre para publikimit. “Arsyet lidhen me gjendjen e vështirë financiare të mediave dhe presionin për të publikuar shpejt çdo deklaratë që mund të tërheqë vëmendje. Në një sistem medial që favorizon shpejtësinë dhe ekskluzivitetin mbi verifikimin, redaksitë shpesh u nënshtrohen rregullave të këtij tregu”.

Mirëpo konsideron se raportimi për dialogun mes mediave të Kosovës dhe atyre të Serbisë nuk mund të krahasohet.

“Në Serbi, raportimi për Kosovën është pjesë e një narrative të gjerë politike që ushqehet dhe mirëmbahet nga një makinë e koordinuar dezinformimi mes qeverisë dhe mediave që e mbështesin atë. Kosova dhe institucionet e saj paraqiten sistematikisht si të jashtëligjshme, BE-ja si e njëanshme apo manipuluese, ndërsa vetë dialogu portretizohet si proces ku Serbia është nën presion të padrejtë”.

Sipas saj në Kosovë, situata është krejt tjetër.

“Edhe pse ka prirje për sensacionalizëm dhe raportim të varur nga deklaratat politike, media nuk funksionon me logjikën e një aparati të organizuar dezinformues. Problemi kryesor është mungesa e thellimit analitik dhe varësia nga interpretimet e akterëve politikë”.

“Në thelb, mediat pro-qeveritare serbe operojnë brenda një arkitekture propagandistike, ndërsa mediat kosovare brenda një ekosistemi të brishtë që vuan nga mungesa e kapaciteteve, jo nga koordinimi për dezinformim”.

“Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë normalizimin”

Zëdhënësi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikola Gaon Sorokin ka vlerësuar se gjuha përçarëse, polarizuese dhe herë pas here ofenduese bie ndesh me qëllimin për normalizim gradual të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njerëzit si në Kosovë ashtu edhe në Serbi e ndjekin dialogun nga afër. BE-ja vepron si lehtësuese në dialog. Përgjegjësia për rezultatet e dialogut bie plotësisht mbi të dyja palët. Komunikimi i dialogut, i procesit dhe i rezultateve të tij me publikun vendas është gjithashtu përgjegjësi e të dy palëve dhe jo e BE-së. Duke u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog, të dyja palët synojnë të arrijnë një normalizim gradual të marrëdhënieve të tyre. Gjuha përçarëse, polarizuese dhe herë pas here ofenduese bie ndesh me këtë qëllim”, ka thënë ai.

Sipas tij të dyja palët në dialog kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë procesin dhe normalizimin.

“Dezinformimi sot është një çështje globale dhe dialogu nuk zhvillohet në izolim. Është e rëndësishme që të dyja palët të sigurojnë një komunikim që nxit normalizimin e marrëdhënieve dhe u ndihmon njerëzve të kuptojnë se si dialogu mund ta lehtësojë jetën e përditshme dhe të hapë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Të dyja palët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që dezinformimi të mos pengojë normalizimin, kompromisin dhe një perspektivë pozitive përpara. Bërja e kompromiseve nuk është dobësi; është parakusht për progres. Kjo është arsyeja pse mbajtja e një debati publik të mbështetur në fakte është thelbësore”, ka deklaruar zyrtari evropian.

Në të njëjtën kohë nënvizon se BE-ja, si lehtësuese procesit, komunikon vetëm rezultatet nga dialogu përkatësisht faktet.

“Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është e njohur dhe objektivat e normalizimit janë të qarta. Ne punojmë ngushtë me autoritetet në Kosovë dhe Serbi, me të gjitha institucionet evropiane dhe me shtetet anëtare, që informacioni i saktë të arrijë te qytetarët. Kur shfaqen pretendime të rreme, ne i adresojmë ato përmes sqarimeve të menjëhershme dhe angazhimit të drejtpërdrejtë me palët përkatëse”, është shprehur ai.

Raste të tilla kanë ndodhur edhe në vitin 2025.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në qershor të vitit 2025 pati akuzuar kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, se ka bërë deklarata të rrejshme pas takimit të datës 10 qershor 2025 në Bruksel, duke thënë se zyrtari serb ka shkelur dakordimin e bërë gjatë takimit trilateral. Sipas raportimit të Kohës, Bislimi ka shtuar se në faqen e ashtuquajturës Zyre për Kosovë është korrigjuar deklarata e Petkoviq, “me shumë gjasë pas intervenimit të emisarit të BE-së, pasi Kosova e ngriti çështjen brenda pak minutash”.

Pyetjet lidhur me çështjen e dezinformimit në dialog i janë dërguar edhe Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës, por deri në momentin e raportimit nuk janë pranuar përgjigjet.

Rrjetet sociale dhe platformat e internetit janë shpërndarësit kryesorë të dezinformimit

Raporti “Vorbulla e rrenave” publikuar nga BIRN Kosova në fund të vitit 2023 konstaton se mediat, institucionet, dhe shoqëria civile po përballen me sfida serioze në adresimin efikas të dezinformimit dhe se në Kosovë nuk ka një vizion të qartë dhe qasje strategjike për luftimin e këtij fenomeni, prandaj dhe dezinformimi ka ndikim të konsiderueshëm në opinionin publik në Kosovë.

Sipas këtij studimi, në mungesë të financimit të qëndrueshëm, burimeve të kufizuara njerëzore, politikave të paqarta redaktuese dhe ndikimeve nga jashtë, media është bërë krijues dhe përforcues i dezinformimit në disa raste.

Gjetjet e hulumtimit kanë treguar se rrjetet sociale dhe platformat e internetit të specializuara në lajme të rreme janë shpërndarësit kryesorë të dezinformimit, sado që, në disa raste, edhe mediat tradicionale e profesionale kanë faj.

“Hulumtimi tregon se dialogu i fascilituar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte shoqëruar me dezinformim rreth fascilitatorëve të emëruar nga BE dhe ShBA. Frustrimi me mungesën e progresit në dialog shpesh është interpretuar në media si faj i fascilitatorëve të cilët nuk janë në gjendje të imponojnë implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Në këtë mënyrë, edhe pse mbi 91 % e qytetarëve të Kosovës janë shprehur në favor të integrimit në BE, janë shfaqur sentimente lokale kundër BE-së rreth dështimit të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo më pas është përforcuar nga narrativat dezinformuese ruse. Në mënyrë të ngjashme, politikanët në Kosovë dhe Serbi janë përballur me fushata të bazuara në informacion të rremë, që kryesisht synon portretizimin e tyre si ‘tradhtarë‘ të çështjeve kombëtare”, thuhet në raport.

Ndërkaq punimi hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) me titull “Në ç’mënyrë dezinformimi shënjestron dhe ndikon në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë?” i publikuar në vitin 2024 ka konstatuar se dezinformimi dhe keqinformimi janë çështje të përhapura në Kosovë, ku shfrytëzohen ndarjet ekzistuese shoqërore dhe besimi i ulët në të dhënat institucionale.

Sipas këtij raporti, dezinformimi vepron në nivele të shumta, duke shënjestëruar perceptimet individuale, dinamikën e komunitetit dhe besimin institucional, dhe se shpesh fokusohet në çështje të ngarkuara emocionalisht dhe të ndjeshme nga ana kulturore, duke përdorur të vërteta të pjesshme dhe informacione të paverifikuara për të përkeqësuar ndarjet.

“Dezinformimi dekurajon bashkëpunimin ndëretnik duke krijuar një mjedis armiqësor për dialog. Për shembull: Narrativat rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS) e cilësojnë atë si një kërcënim për integritetin territorial dhe sovranitetin, gjë që çon në kundërshtimin e shqiptarëve të Kosovës. Mediat serbe e portretizojnë mungesën e progresit të AKS-së si dëshmi të vullnetit të keq të Kosovës, duke nxitur mosbesimin tek serbët. Një nga narrativat kryesore në lidhje me AKS-në është se “formimi i AKS-së do të nënkuptonte formimin e një Republika Srpska tjetër në Kosovë”, gjë që besohet nga 58% e shqiptarëve dhe 37% e serbëve të Kosovës”, thuhet në punimin hulumtues.

Edukimi medial i domosdoshëm për të përmirësuar kuptimin e informacionit politik

Hulumtuesi Festim Rizanaj ka vlerësuar se mediet luajnë një rol kyç në amplifikimin ose zvogëlimin e dezinformatave politike, në varësi të standardeve të gazetarisë që ndjekin dhe mënyrës se si raportojnë informacionin.

“Kur mediat operojnë me verifikim të fakteve, burime të besueshme dhe qasje të balancuar, ato ndihmojnë në reduktimin e dezinformatave, ofrojnë kontekst dhe rrisin transparencën në komunikimin politik. Në të kundërt, kur mediat përdorin tituj sensacionalë, raportime selektive ose riprodhojnë pa verifikuar deklaratat e politikanëve dhe aktorëve të jashtëm, ato amplifikojnë narrativat dezinformuese, përforcojnë polarizimin dhe ndikojnë negativisht në perceptimin publik”, ka thënë ai.

Për të përmirësuar kuptimin e informacionit politik, sipas tij janë të rëndësishme edukimi medial, komunikimi i qartë nga institucionet, fushatat e verifikimit të fakteve dhe nxitja e mendimit kritik përmes debatit dhe diskutimeve publike.

“Këto masa rrisin rezistencën ndaj dezinformatave dhe ndihmojnë qytetarët të formojnë opinione të informuara”, është shprehur ai.

Në anën tjetër dokumentet e BE-së tregojnë qartë se të dy palët kanë detyrime të pambajtura dhe probleme të vazhdueshme të implementimit. Vështrimi procesit ka treguar se dialogu nuk dëmtohet nga ajo që negociohet në Bruksel, por nga mënyra se si interpretohet në Prishtinë, Beograd dhe platforma të treta mediatike. Dhe nëse nuk ndryshohet qasja ndaj informacionit, procesi rrezikon të mbetet peng i narrativave, jo i fakteve. Dhe në këtë klimë, normalizimi bëhet edhe më i vështirë.

Artikull i shkruar nga gazetarët: Fisnik Minci dhe Raif Kırkul

(Fotografia: https://kryeministri.rks-gov.net/)

Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.

 

- Reklama -
Klikoni Këtu për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Më të lexuarat

Numërohen votat e para për Kuvendin Komunal të Prizrenit, linku ku mund t’i gjeni rezultatet

KQZ ka publikuar rezultatet e para të kandidatëve për...

Aksident tragjik në fshatin Pouskë të Prizrenit – humb jetën një 19-vjeçare

Një aksident tragjik trafiku ka ndodhur sot në orët...

ACE mbyll Filma24, gjigantin e piraterisë së filmave në Shqipëri

Për mijëra shqiptarë, Filma24 ishte destinacioni kryesor për filma...

Dy raste të rënda në Arbanë dhe Grejkoc: I japin fund jetës një 36-vjeçar dhe një 43-vjeçare

Dy raste të ndara me pasojë vdekjen janë raportuar...

Të shtëna me armë zjarri në Prizren, dy persona të plagosur – jashtë rrezikut për jetë

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e...

Të ngjajshme

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort