LAJME

DhTIK: Kriza politike dhe shkuarja në zgjedhje po godasin ekonominë e Kosovës

DhTIK: Kriza politike dhe shkuarja në zgjedhje po godasin ekonominë e Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Maj 2026, 11:07

Kriza politike në vend dhe shkuarja në zgjedhje të reja po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë e Kosovës, duke rrezikuar stabilitetin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Kështu u tha në takimin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me komunitetin e biznesit.

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi dhe kryetari i Kuvendit të DHTIK-së, Hamdi Malushaj, theksuan se përkundër sfidave të shumta me të cilat u përball Kosova që nga fillimi i vitit të kaluar, Dhoma ka qenë vazhdimisht aktive në adresimin e sukseseve dhe problemeve të sektorit privat.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti, theksoi se zgjedhjet e shpeshta po prodhojnë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë.

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve me vonesa, humbje financiare dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe investimet. Ekonomia nuk mund të presë pafundësisht cikle politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm”.

Përfaqësues të bizneseve shpalosën sfidat me të cilat po përballen, duke përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, importin e madh, mungesën e mbështetjes institucionale dhe vonesat e shumta në vendimmarrje.

Ata nënvizuan rolin e DHTIK-së si një zë i fuqishëm i bizneseve, duke lobuar për zgjidhje konkrete, propozuar politika lehtësuese, si dhe duke ndërmjetësuar komunikimin ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.

Në takim u potencua edhe rëndësia e krijimit të një stabiliteti politik si parakusht për zhvillim ekonomik, si dhe nevoja për vendime të shpejta dhe të qëndrueshme.

Të pranishmit u dakorduan që të intensifikohet komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, me qëllim të adresimit më efektiv të sfidave dhe mbrojtjes së interesave të komunitetit të biznesit në këtë periudhë sfiduese.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika