LAJME

DHTIK kërkon ndërhyrje urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji për bizneset

DHTIK kërkon ndërhyrje urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji për bizneset
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Janar 2026, 14:37

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, përmes një komunikate për media, ka shprehur shqetësimin për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike, e cila sipas DhTIK, po shkakton humbje serioze për qindra biznese në vend.

DhTIK thotë se përkundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% dhe daljes së detyruar në tregun e hapur të energjisë të rreth 1,300 bizneseve, gjendja e furnizimit është përkeqësuar ndjeshëm.

“Bizneset po paguajnë shumëfish për energji elektrike, ndërkohë, furnizimi nuk është as i sigurt dhe as i qëndrueshëm. Ndërprerjet e shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë kanë sjellë pasoja të rënda, përfshirë pamundësi të funksionimit normal të bizneseve, rritje të kostove të prodhimit, humbje të orëve të punës dhe dëme në pajisjet teknologjike dhe linjat e prodhimit” – thekson DhTIK.

DhTIK thotë se avarësisht thirrjeve të vazhdueshme të tyre, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për të përmirësuar sigurinë e furnizimit me energji për bizneset.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u ka bërë thirrje urgjente të gjithë akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin masa emergjente për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike për bizneset, si dhe të fillojnë procedurat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga ndërprerjet.

Po ashtu, DHTIK ka kërkuar nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës që të veprojnë pa vonesë për të dalë nga kjo situatë, e cila sipas tyre, rrezikon seriozisht stabilitetin ekonomik dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika