Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që të bëhet ekzekutimi i menjëhershëm i pagesave për të gjitha bizneset të cilat tashmë kanë rekrutuar staf përmes platformës Superpuna.
Kjo dhomë thotë se pas ankesave të vazhdueshme të pranuara nga bizneset, shprehë shqetësimin e saj lidhur me vonesat e pagesave për punëtorët e rekrutuar përmes kësaj platforme, pagesa këto të cilat fillimisht duhet të kryhen nga bizneset në mënyrë vetanake për të gjithë të punësuarit e tek më pas të bëhet rimbursimi nga Qeveria e Kosovës.
“Aktualisht, subvencionimi nga Qeveria bëhet me një muaj diferencë, ngase deklarimi i punëtorëve në ATK bëhet deri më datë 15 të muajit vijues të angazhimit. Pra, për punëtorët e angazhuar në muajin mars, deklarimi në ATK bëhet deri më 15 prill. Proces ky i cili po zvarritet, konkretisht tek në muajin Maj është bërë subvencionimi i kompanive për muajt Shkurt dhe Mars”.





