Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës të martën është zhvilluar një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, aksion ky, i cili është bërë pas zhvillimit të hetimeve disamujore.
Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.
Në komunikatën e përbashkët nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, thuhet se i arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.H. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.





