Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se konsiderohet që nuk pati kuorum të mjaftueshëm në raundin e parë të votimit për president.
Kësisoj duhet të përsëritet votimi i raundit të parë për president të ri të vendit.
“Përsëritja e votimit të parë të ndodhë menjëherë”, tha Glauk Konjufca.
Nga Kuvendi i Kosovës u bë e ditur se në raundin e parë të votimit morën pjesë vetëm 78 deputetë, që do të thotë nuk pati kuorum të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit.
Kësisoj brenda pak minutave pritet që të vazhdohet me raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërsa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur kundër. Lista Serbe nuk është deklaruar.