LAJME

Dështon përpjeka e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Dështon përpjeka e 15-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Maj 2025, 10:39

Për të 15-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Të martën, edhe një herë dështoi formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deputetët u mblodhën për rreth pesë minuta për një tjetër dështim. Pro votuan 56, kundër një.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 15 maj me fillim prej orës 10:30.

Nga kjo ditë presidentja Vjosa Osmani pritet t’i nisë takimet me partitë në konsulta për dalje nga ngërçi.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Në herët e shkuara, Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh nga zgjedhjet ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut e cila nuk mori mbështetjen nga deputetët. Më pas, propozimi ishte që të kalohet në votim të fshehtë e që nga ajo kohë nuk ka shumicë për të formuar komisionin për të ndryshuar metodën e votimit. Pikërisht kjo kërkesë për ndryshim të mënyrës së votimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ditë më parë nga përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në këtë seancë u mbajt edhe një minutë heshtje për Tahir e Nebih Mehën në përvjetorin e rënies së tyre. Kjo nuk u respektua nga Lista Serbe.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika