Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark do të nisë sot dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit të Speciales, dëshmia e Clark është caktuar të fillojë sot në orën 12:00 ndonëse fillimisht ishte planifikuar të niste të mërkurën më 19 nëntor.
Megjithatë, ndryshimi i orarit dhe nevoja për kohë shtesë ka shtyrë gjykatën të rezervojë edhe një ditë tjetër seance.
“Pasi u informua se kjo dëshmi mund të fillojë vetëm më 18 nëntor pasdite… Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë për seancë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë”, kishte njoftuar Specialja.
Gjykata thekson se kjo ditë shtesë synon të mundësojë një mbyllje sa më efikase të paraqitjes së argumenteve nga mbrojtja, por shton se palët janë ftuar të përpiqen ta përfundojnë dëshminë më herët nëse është e mundur.
Clark, njësoj si dëshmitarët e tjerë, do të shoqërohet nga një person i Ambasadës së SHBA-së në Hagë, pasi ai do të flasë vetëm për temat për të cilat i është dhënë leje jo vetëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe nga Departamenti i Mbrojtjes.
Gjenerali Wesley Clark është dëshmitari i fundit në këtë proces gjyqësor.
Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka filluar më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.
Më 22 shtator dëshmoi edhe John Stewart Duncan, ish-këshilltar politik i gjeneralit Clark në NATO, i cili e përmbylli dëshminë një ditë më vonë. Ndërkaq, më 30 shtator ka filluar dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, i cili ka mbyllur paraqitjen më 2 tetor.
Dëshmitarët e fundit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve kanë qenë Michael Durkee, këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë, dhe ish-diplomati amerikan Christopher Hill.
Pas përfundimit të dëshmisë së Clark, gjykimi kalon në fazën përfundimtare të paraqitjes së mbylljeve nga të dyja palët, përpara se trupi gjykues të shpallë vendimin. /Telegrafi/
