Një dëshmitar tjetër është paraqitur sot para Gjykatës Speciale, për të dëshmuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Dëshmitari i radhës po intervistohet lidhur me organizimin LDK-së në vitet ’90.
Prokuroria e ka pyetur për institucionet paralele dhe nëse kishte struktura të LDK-së në Malishevë gjatë vitit 1990.
“Ne e kemi i pa si institucione të Kosovës që kanë punu nga delegatët e Kosovës dhe për ne ka qenë sistem i njerëzve të Kosovës”, ka thënë ai, duke pohuar se ato institucione udhëhiqeshin nga Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi e të tjerët.
Ai tha se shqiptarët e përkrahnin LDK-në në vitet ’90 dhe ka folur për strukturën e degës së LDK-së në Malishevë atëherë.
“Nënkryetarët e LDK-së, sekretarët dhe anëtarët e kryesisë. Në kryesi kanë qenë 13 anëtarë, dy nga forumi i gruas dhe forumi rinor, gjithësej 15 anëtarë. Në Kuvendin e degës 110 delegatë”, ka thënë ai.
I pyetur se sa e njohur ishte LDK-ja, dëshmitari u përgjigj: “Ishte shumë e njohur. Nga një pjesë e madhe e pjesës së Kosovës, shqiptarëve të Kosovës brenda dhe jashtë. Parti e madhe e njohur nga qytetarët e saj por edhe më larg”.
Paraprakisht, dëshmitari ka lexuar deklaratën soleme të betimit se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, raporton Gazeta Express.
“Dëshmitar, sot do të fillojmë me dëshminë tuaj e cila pritet që të zgjasë pak a shumë pesë ditë”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 7 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit, mbrojtja e viktimave ka kërkuar 15 minuta, ndërsa 12 orë i kanë kërkuar avokatët.
“Gjatë ditëve në vijim nuk lejohet që ta diskutoni me askënd përmbajtjen e kësaj dëshmie jashtë sallës së gjyqit. Nëse ka persona që ju bëjnë pyetje lidhur me dëshminë në këtë seancë, ju lutem na thoni”, tha kryegjykatësi.
Seanca më pas u mbyll për publikun.