“Vuçiç ka sakrifikuar rininë serbe në Kosovë në luftën me Albin Kurtin”, kjo është deklarata e fortë që ka bërë deputeti i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviç. Sipas tij ky është një arsye e mjaftueshme që Aleksandër Vuçiç, do të duhet të japë dorëheqjen.
Këtë thirrje, Srdan Milivojeviç e ka mbështetur në raportimet që bëjnë me dije se në sulmin terrorist të së dielës ndaj Policisë së Kosovës, organizator ka qenë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç.
“Nëse Radoiçiç ka marrë pjesë në atë akt të çmendur, atëherë është plotësisht e qartë se pas gjithçkaje qëndron regjimi në Beograd i drejtuar nga Aleksandër Vuçiç. Po ta kishte organizuar Radoiçiç apo dikush tjetër pa pëlqimin dhe urdhrat e Beogradit, ai tashmë do të ishte arrestuar ose do të ishte fundi për Vuçiç-in”, ka pohuar deputeti serb, transmeton media opozitare serbe “Nova”.





