Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, nga komuna e Vushtrrisë, ka njoftuar se është tërhequr nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit, shkruan IndeksOnline.
Ai madje ka publikuar edhe shumën e parave që ka marrë si deputet për udhëtim.
“Pas publikimit të një diagrami në media jo vetëm që u befasova por u ndjeva shumë keq për shumat që arrijnë në emër të udhëtimit”.
Postimi i plotë:
Tërhiqem nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit!
Si deputet i legjislaturës së tetë natyrisht që e kam pa që së bashku me pagën vjen edhe një pagesë në emër të shpenzimeve të udhëtimit.
Meqenëse ishin shuma jo shumë të mëdha (prill 10€, maj 70€, qershor 70€, korrik 110€, gusht 120€, Shtator 40€ tetor 20€, nëntor 20€, dhjetor 60€ dhe janar 90€) nuk jam interesuar se në bazë të çfarë rregulloreje na ndahen. Qenka një vendim i Kuvendit i vitit 2011, mbi bazën e të cilit qenka realizuar kjo pagesë.
Pas publikimit të një diagrami në media jo vetëm që u befasova por u ndjeva shumë keq për shumat që arrijnë në emër të udhëtimit.
Vendimi i vitit 2011 duhet ndryshuar.
Me respekt,
Besim Muzaqi