Burim Meta, deputet i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, është bërë zëri i parë nga ana e pushtetit që ka kërkuar largimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas skandalit që e implikoi në Slloveni.
Emri i Berishajt është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Slloveni. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili të dielën i ka fituar zgjedhjet. Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting. Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.





