Haxhi Avdyli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka konfirmuar se partia e tij ka marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, edhe pse jo në formë të shkruar, për bashkëqeverisje. Ai ka thënë madje se bisedimet janë shumë pozitive dhe se tashmë VV-ja i ka 61 vota në Kuvend, e se po synon për më shumë.
“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt… Për këtë do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së. Gjatë diskutimit me Teutë Rrustën e PSD-së, Avdyli ka thënë se “një marrëveshje ekziston dhe kjo është në të mirë të demokracisë kur ka marrëveshje”.
“Sepse kur një parti e ka shumicën dhe nuk mund të bëjë marrëveshje atëherë do të ishte shqetësuese sepse nëse bën… edhe ftesën për LDK-në e kam përshëndetë dhe më ka ardhur shumë keq që ish-partia ime ka bë kaq hapa mbrapa nga një parti shtetformuese e hapur për partitë e PAN-it në të kaluarën janë kaq të ngurtë. E kuptoj se po kalkulojnë, por Kosova nuk ua fal këtë bllokadë që po ua shkakton. Kam pa parti bllokuese, por LDK-na bllokuese hyn në analet historike”, ka thënë tutje ai.





