Deputeti i Listës Guxo që vepron në kuadër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Karameta ka folur për të ardhmen politike të kësaj iniciative.
Ai thotë se pas zgjedhjeve lokale, Lista Guxo pritet të ketë edhe dy deputetë tjerë në Kuvend, pasi sipas tij disa deputetë të LVV-së do të zgjidhen kryetarë komunash.
“Në ditët në vijim pritet të marrim edhe dy zëvendësministra”, tha Karameta në Kanal 10.
Karameta thotë se Lista Guxo është dashur të regjistrohet që moti për të pasur sukses në zgjedhje lokale.
“Ne deputetët e Ferizajt dhe disa të tjerë jemi të gatshëm sa më parë që të kemi subjektivitetin tonë dhe një emër. Mendoj se jemi vonuar deri tash por shpresoj se ditët në vijim të kristalizohet çdo gjë”.
Deputeti thotë se shumë shpejt do të vendoset fati politik i Listës Guxo se si do të ecet përpara.
“Disa deputetë dhe disa koordinatorë që na kanë ndihmuar të bëhemi deputetë e ministra bashkë me mua mendojnë se ne asesi nuk duhet të shkojmë në zgjedhje pos me identitetin tonë politikë e partiak, gjithmonë në kohezion të përbashkët me LVV-në”, deklaroi ndër të tjera Karameta.