Thijs Reuten, deputet holandez në Parlamentin Evropian, ka thënë se i vjen turp nga shteti i tij dhe katër vende të tjera në Bashkimin Evropian, për “bllokimin” e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Të enjten, Në Bruksel për herë të parë është zhvilluar diskutimi në grupin punues të Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas burimeve diplomatike të BE-së, diskutimi ka dëshmuar se ekziston një mbështetje e madhe në mesin e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave, por akoma ka shtete të cilat kanë edhe disa kërkesa që duan të adresohen para se të miratohet vendimi. Franca, një vend i cili deri më tash më së shumti ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, kësaj radhe nuk është shprehur kundër, por ka propozuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, që është një sistem i ri i vendosur nga BE-ja ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizimin e vizave duhet të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnë. Një regjistrim pastaj do të ishte i vlefshëm për tre vjet.
Ky “bllokim” është kritikuar nga Reuteni që ka thënë se i vjen turp që Holanda ka përkrahur propozimin e Francës.





