Deputetët e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Aleancës për Shqiptarët – krahu i Arben Taravarit kanë dorëzuar sot pasdite në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut një Propozim-Rezolutë për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në deklaratën me shkrim të lëshuar nga partitë shqiptare në opozitë, thuhet se “kjo propozim-rezolutë mbështetet në parimet kushtetuese dhe në standardet ndërkombëtare të drejtësisë, duke riafirmuar përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimit të plotë të të drejtave themelore të njeriut, ashtu siç përcaktohen në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut”.





