Miqësia mes Kosovës dhe Kanadasë, e bazuar në vlera të përbashkëta demokratike dhe bashkëpunim dypalësh, mbështetja e Kanadasë në forumet shumëpalëshe dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të reja, ishin temat kryesore të takimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kryetares së Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Kanada, Mimoza Kusari-Lila me kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë, Anita Vandenbeld dhe anëtarët e këtij grupi, deputetët, Robert Oliphant, Yvan Baker, Kyle Seeback, Francesco Sorbara, Sébastien Lemire dhe senatorin Victor Oh.
Gjatë këtij takimi, Gërvalla dhe Kusari-Lila, pasi i falënderuan secilin prej tyre për mbështetjen e madhe ndaj Kosovës, promovimin e miqësisë mes dy shteteve tona dhe angazhimin e tyre në kuadër të Grupit Parlamentar të Miqësisë, i njoftoi ata rreth proceseve politike në Kosovë, progresin e arritur në shumë fusha, sigurinë në rajon, sulmet e Serbisë dhe proceset integruese nëpër të cilat po kalon Republika jonë.
Deputetët kanadezë shprehën interesimin e tyre rreth situatës politike në Kosovë, potencialin për zhvillim ekonomik dhe shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të jetësuar projekte të përbashkëta në ekonomi por edhe duke ndihmuar Kosovën në proceset integruese dhe nismat globale.





