Në diskutimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Energjisë së Shteteve të Bashkuara për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Kosovës drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të sigurisë energjetike.![]()
Duke nënvizuar se “siguria energjetike është siguri kombëtare”, Byers theksoi se qëndrueshmëria energjetike matet përmes diversifikimit të burimeve dhe alternativave të furnizimit. Ai vlerësoi rolin e thëngjillit si bazë e sistemit energjetik të Kosovës, por shtoi se gazi i lëngshëm natyror (LNG) mund të bëhet një komponent i rëndësishëm i miksit energjetik të vendit në të ardhmen, veçanërisht në kushtet e rritjes së kërkesës për energji.
Duke folur për potencialin e furnizimit, Byers theksoi se Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe se kapacitetet amerikane të eksportit të LNG-së pritet të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme. Ai nënvizoi se SHBA-të tashmë furnizojnë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së dhe se do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbështetjen e aleatëve evropianë përmes furnizimeve të sigurta dhe të diversifikuara me energji.





