Gjykata Themelore në Prishtinë të martën e ka dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim edhe në rigjykim të akuzuarin Nagip Lutfiu për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.
Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë dënim, Lutfiut do t’i llogaritet qëndrimi në paraburgim.
I akuzuari obligohet që pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej 100 euro dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Ndërsa, palët në procedurë udhëzohen për të drejtën në ankesë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 mars 2022 e kishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim të akuzuarin Nagip Lutfiu për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, por që më 30 maj 2022 Gjykata e Apelit këtë aktgjykim e ka anuluar dhe çështja është kthyer në rivendosje sipas ankesës së mbrojtësit Kadri Begolli.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 dhjetor 2021, i akuzuari Nagip Lutfiu, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “Gjabat Al-Nustra”, në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku ka arritur në Stamboll të Turqisë dhe më pastaj përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri.
Tutje, thuhet se pasi që ka përfunduar ushtrimet taktike dhe luftarake, i pajisur me armë të zjarrit të llojit AK-47, ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, e që më pastaj më 28 prill 2013, përmes Aeroportit të Stambollit është kthyer në Kosovë.
Gjithmonë sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari Lutfiu më 10 shtator 2014, me paramendim dhe me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës duke depërtuar në Serbi dhe pastaj ka arritur në Aeroportit e Shkupit në Republikën e Maqedonisë, ku ka arritur në Stamboll dhe është takuar me bashkëshorten e tij, dy vajzat, si dhe nusen e djalit, duke vazhduar rrugën me aeroplan në qytetin e Gazientep të Turqisë ku është pritur nga pjesëtarët e ISIS-it.
Në aktin akuzues, thuhet se duke kaluar kufirin rrugëve ilegale depërton në Siri fillimisht në qytetin e Bablimon, më pastaj në qytetin e Gjerablus ku është shoqëruar nga i biri i tij dhe një person tjetër nga Gostivari, e që nga i njëjti ishte pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe municion duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë që edhe më pas është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021 dhe është riatdhesuar në Kosovë.
Me këtë, Nagip Lutfiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Organizmi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, në vazhdim nga neni 143, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.