Mesfushori i skuadrës së Altachut, Vesel Demaku ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën në futboll. Lajmi është bërë i ditur të hënën nga Federata e Futbollit të Kosovës.
“Mesfushori defensivë i skuadrës austriake Altach, Vesel Demaku ka vendosur të luajë për Kosovën. Ish-anëtari i Kombëtares U21 të Austrisë, të hënën, ka qëndruar në selinë e FFK-së, ku është takuar me presidentin Agim Ademi, drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxherin e Kombëtares, Bajram Shala”, shkruan në njoftimin e FFK-së.
Demaku këtë edicion në elitën e futbollit austriak ka zhvilluar dhjetë ndeshje. Ai ka kontribuar me një asistim.
24-vjeçari Demaku ka luajtur edhe për të gjitha grupmoshat e Përfaqësueses së Austrisë.