Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara rekomanduan që amerikanët e vaksinuar plotësisht t’i kthehen vendosjes së maskës në ambiente të mbyllura në disa vende publike, për shkak të shqetësimeve që paraqet varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta.
Agjencia shëndetësore gjithashtu këshilloi që të gjithë nxënësit, mësuesit dhe stafi në kopshte dhe në shkolla të mbajnë maska, pavarësisht nga statusi i vaksinimit.
Njoftimi paraqet ndryshim të politikës së miratuar në muajin maj, kur miliona amerikanë të vaksinuar i hoqën maskat e fytyrës, përveç në transportin publik dhe spitale.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë se udhëzimet e përditësuara për maskat zbatohen vetëm në pjesët me nivele “të konsiderueshme dhe të larta” të transmetimit të koronavirusit, në mënyrë që të frenohet përhapja e variantit Delta dhe të mbrohen të pavaksinuarit.
Drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha se rekomandimi i ri bazohet në shqetësimet nga varianti Delta.
Derisa efikasiteti i vaksinave mbetet i lartë ndaj variantit Delta, “të dhëna të reja tregojnë se, në raste të rralla, disa njerëz të vaksinuar mund të jenë ngjitës dhe ta përhapin virusin te të tjerët”, tha Walensky.
Studimet e fundit kanë treguar se sasia virale te të infektuarit me variantin Delta është shumë më e madhe se te njerëzit e infektuar në valën e parë të koronavirusit, çfarë e bën virusin më të transmetueshëm.
Shtetet e Bashkuara janë duke regjistruar një mesatare shtatëditore prej 57,000 rastesh të të infektuarve. Shifra paraqet rreth një të katërtën e infeksioneve nga kulmi ditor i janarit, por është pothuajse pesë herë më e lartë se niveli i fillimit të korrikut.
Rreth 49 për qind e popullsisë amerikane është plotësisht e vaksinuar dhe pothuajse të gjitha vdekjet dhe shtrimet në spital janë në mesin e njerëzve të pavaksinuar.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se administrata e tij po shqyrton nëse do të kërkojë që punonjësit federalë amerikanë të vaksinohen kundër koronavirusit.
Punonjësve federalë mund t’iu kërkohet të tregojnë dëshmi se janë vaksinuar kundër koronavirusit – përndryshe do t’i nënshtrohen testimit të rregullt dhe do të mbajnë maska.
Në vitin 2020 kanë qenë më shumë se 4.2 milionë punëtorë federalë në të gjithë SHBA-në, përfshirë edhe ata në ushtri.
Më 26 korrik, Departamenti i Çështjeve të Veteranëve u bë agjencia e parë federale që kërkoi vaksinimin e punonjësve të saj shëndetësorë.
Javëve të fundit, qeveri të ndryshme shtetërore dhe lokale, kompani private, administratorë të spitaleve dhe universitete në të gjithë SHBA-në kanë rikthyer detyrimin për maska në ambiente të brendshme dhe kanë lëshuar urdhra për vaksinim.
Opera Metropolitane e Nju Jorkut njoftoi më 27 korrik se do të kërkojë që audienca dhe interpretuesit të vaksinohen plotësisht për sezonin e saj të ardhshëm, ndërsa gazeta Washington Post tha se të gjithë punonjësve të saj do t’iu kërkohet të paraqesin dëshmi të vaksinimit të plotë deri në mes të shtatorit.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, që ndjek të dhëna për pandeminë, koronavirusi ka prekur mbi 195 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi katër milionë kanë vdekur.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 34 milionë të infektuar dhe mbi 611,000 viktima.