Delegacioni i kongresistëve amerikanë, që vizitoi Luginën e Preshevës të martën, theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me zyrtarë të ndryshëm, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe mendime të drejtpërdrejta nga terreni.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve.
Subramanyam përmendi sistemin arsimor dhe zhvillimin e pabarabartë për shqiptarët në Serbi si një nga problemet kryesore të të drejtave të pakicës, ndërsa tha se në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.
“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, tha kongresisti demokrat./REL