Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.
“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, tha zëdhënësi.
Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.
Ato u shpallën pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare e fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për tentim të përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme.
Legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj.
Ato zgjedhje u mbajtën pas një krize të zgjatur politike që nisi pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë dhe përpjekjet për formimin e Qeverisë përfunduan pa sukses.