Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se plani franko-gjerman në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është i papranueshëm për Serbinë.
Bashkimi Evropian konfirmoi të premten se tashmë ka marrë përgjigjet nga Kosova dhe Serbia për këtë plan. BE-ja u bëri thirrje palëve që ta shfrytëzojnë “rastin e mirë”. Dokumenti është mbajtur larg publikut, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se aty parashihet që Serbia të mos e pengojë Kosovën në rrugën drejt njohjes ndërkombëtare, në këmbim të përshpejtimit të rrugës së Serbisë drejt BE-së. Nga Kosova, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pati thënë se plani më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, pasi nuk parasheh njohjen reciproke në këtë fazë.





