Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar edicionin e 22-të të përmbledhjes Pulsi Publik, ku përfshihen edhe efektet e COVID-19. 62.5% e të anketuarve deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, 48.1% deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe 52.6% treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.
Përmbledhja Pulsi Publik 22 bazohet në një anketë të opinionit të kryer nga 6 deri më 24 prill 2022, me 1,306 të anketuar nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë përmes intervistave sy më sy.
“Gjithsej 62.5% e të anketuarve (51% në vjeshtë 2021, 60.7% në maj 2021, 68.7% në dhjetor 2020 dhe 65.9% në prill 2020) deklaruan se COVID-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike. Gjithsej 48.1% (43.9% në vjeshtë dhe maj 2021, dhe 46.9% në dhjetor 2020 dhe 40.7% në prill 2020) deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik. Gjithsej 52.6% (50.7% në vjeshtë 2021, 48.6% në maj 2021, 52.8% në dhjetor 2020 dhe 59% në prill 2020) treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor”.






