Çmimi i naftës në Kosovë ka shënuar rritje krahasuar me çmimin e djeshëm të publikuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Ndërkaq, çmimi i benzinës ka mbetur i njëjtë.
Në vendimin e publikuar të mërkurën, çmimet maksimale janë 1.89 euro për litër të naftës, ndërkaq 1.46 euro për litër të benzinës. Ndërkaq çmimi i gasit është 0.77 euro për litër.
Kryetari i shoqatës së natareve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit ka sjellë pak qetësi në tregjet e naftës, por ka shtuar se ky mund të jetë reagim afatshkurtër.
Tutje, ai ka deklaruar se vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë.
“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë” – ka shkruar Berjani në Facebook.