LAJME

Çmimi i naftës rritet mbi 3% derisa sulmet e reja ushtarake kërcënojnë transportin e Hormuzit

Çmimi i naftës rritet mbi 3% derisa sulmet e reja ushtarake kërcënojnë transportin e Hormuzit
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Korrik 2026, 11:33

Çmimet e naftës janë rritur më shumë se 3% të hënën, më 13.07.2026 në bursë, pasi sulmet e ripërtërira ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ringjallën shqetësimet për dërgesat e energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit, raporton Reuters.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën me 2.67 dollarë, ose 3.51%, në 78.68 dollarë në mëngjes, ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor të SHBA u rrit 2.48 dollarë ose 3.47 për qind në 73.89 dollarë për fuçi.

“Operatorët e transportit detar po përshtatin një qasje të kujdesshme dhe lëvizjet në hyrje janë ngadalësuar me shqetësimet e shtuara të sigurisë” – kanë thënë analistët e ANZ-së.

Sulmet e reja të SHBA-së dhe Iranit gjatë fundjavës nxitën frikën për përshkallëzim të ri. Teherani ka shënjestruar objektet e SHBA-së përtej Gjirit Persik të dielën dhe ka thënë se ka mbyllur përsëri Ngushticën e Hormuzit. Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar të hënën se ka sulmuar bazat ushtarake amerikane në Kuvajt e Bahrejn.

Para fillimit të konfliktit në fundshkurt, nëpër Ngushticën e Hormuzit kalonin rreth një e pesta e furnizimeve ditore globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

Trafiku i anijeve përmes ngushticës ra të dielën në nivelin më të ulët të pesë javëve të fundit, kanë treguar të dhënat e gjurmimit të anijeve. Gjashtë anije përshkuan ngushticën të dielën, njofton Kpler.

Sulmet e përshkallëzuara hedhin dyshime mbi të ardhmen e marrëveshjes së përkohshme ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, të nënshkruar muajin e kaluar e me të cilën synohej të rihapej ngushtica dhe t’i jepej fund luftës pas 60 ditësh të tjera negociatash.

Furnizimi global i naftës u rrit me 4.1 milionë fuçi në ditë në qershor pas marrëveshjes, por mbeti 9.4 milionë fuçi në ditë nën nivelet e paraluftës, ka njoftuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në raportin e saj mujor të publikuar të premten./Kallxo.com

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika