Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka njoftuar se nga data 1 shtator ka rritur intensitetin e inspektimeve në të gjithë territorin e Kosovës.
Qëllimi i këtyre kontrolleve është të sigurohet mbrojtja e të drejtave të autorit dhe monitorimi i çmimeve të teksteve shkollore.
Në njoftimin e MINT-it thuhet se deri tani janë inspektuar mbi 30 operatorë ekonomikë që ushtrojnë këtë veprimtari dhe në rastet ku janë evidentuar shkelje ligjore janë marrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin.
“Ky hap është ndërmarrë për të siguruar respektimin e kërkesave ligjore dhe për të mënjanuar shkeljet që mund të dëmtojnë konsumatorët si dhe krijimtarinë intelektuale”, thuhet në komunikatë.
Inspektorati paralajmëroi se do të vijojë kontrollet e rrepta edhe ditëve në vijim, duke monitoruar shtëpitë botuese dhe shpërndarësit, për të garantuar se qarkullimi i teksteve shkollore bëhet në përputhje me ligjin mbi të drejtat e autorit.
Po ashtu, do të vazhdojë mbikëqyrja e çmimeve me synim që ato të jenë të arsyeshme dhe në përputhje me rregullat e konkurrencës.
Inspektorati u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira – përfshirë shtëpitë botuese dhe autorët – që të bashkëpunojnë me autoritetet kompetente për një treg të drejtë dhe transparent, duke respektuar të drejtat e autorëve dhe duke garantuar çmime të përballueshme për tekstet shkollore.
Qytetarët që dëshirojnë të raportojnë parregullsi mund të kontaktojnë Inspektoratin Qendror përmes numrit pa pagesë 0800 11000 ose në emailin zyrtar [email protected].