Para se të niste lufta në Ukrainë edhe këtë vit importet e hidrokarbureve ishin në rritje në muajt janar dhe shkurt në krahasim me 2021. Në dymujorin e parë 2022 importet pësuan rritje me 11 për qind, por raportet u përmbysën në mars- prill ku me rritjen e çmimeve nisi të bjerë edhe sasia e importeve ra me mbi 14 për qind.
Ulja e konsumit në raport me vitin 2021 po vjen prej çmimeve të larta. Aktualisht një litër naftë po shitet në pikat me e pakicës me 1.68 euro litri, nga 90 cent litri që ishte në qershorin e vitit të kaluar 2021. Gjatë një viti çmimi i një litri karburant është rritur me 80 për qind.
Operatorët e tregut pohojnë se tkurrja e konsumit është konstatuar tek kompanitë e ndërtimit, që punojnë me tenderë, të cilat janë frenuar për momentin për shkak të shtrenjtimit të hekurit, çka ka rritur kostot, duke tejkaluar vlerësimet fillestare. Sipas të dhënave nga bursat ndërkombëtare, çmimi i hekurit ishte 955 dollarë për ton para se të fillonte sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa aktualisht ka arritur në 1,254 dollarë për ton, me rritje 31 për qind.





