Duke kujtuar se ish-presidenti amerikan Bill Clinton i kishte thënë se Kosova është gjëja më e mirë që ka bërë gjatë presidencës së tij tetëvjeçare, gjenerali amerikan Wesley Clark e ka cilësuar Kosovën si “histori suksesi për SHBA-në, si asnjë tjetër”.
Siç thuhet në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka falënderuar Clarkun për udhëheqjen e tij në intervenimin vendimtar të NATO-s, duke e konsideruar intervenimin e NATO-s në Kosovë moment kthese në historinë e vendit dhe popullit të Kosovës.
Clarku ka shprehur mbështetje edhe për synimet e Qeverisë për zhvillim ekonomik e prosperitet mbarëshoqëror.
“Shteti i Kosovës është miku më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë, shtoi gjenerali Clark, teksa rikujtoi herën kur presidenti Bill Clinton, pas vizitës së tij të fundit në Kosovë, i kishte thënë se Kosova është gjëja më e mirë që e ka bërë gjatë presidencës së tij tetë vjeçare. Më tej, ai tha se Kosova është histori suksesi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si asnjë tjetër”, thuhet në komunikatë.